26 raste me trupa të huaj në rrugët e frymëmarrjes në QKUK
Klinika e ORL-së dhe Pulmologjisë regjistrojnë dhjetëra raste të ngulfatjes gjatë vitit 2025 dhe 2026, kryesisht te fëmijët dhe të moshuarit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë evidentuar 26 raste të largimit të trupave të huaj nga rrugët e frymëmarrjes gjatë vitit 2025 dhe 2026. Sipas të dhënave nga Klinika e Otorinolaringologjisë dhe ajo e Pulmologjisë, në vitin 2025 u regjistruan 10 raste të ngulfatjes, ndërsa në vitin 2026 u shënuan 16 raste deri në përditësimin e evidencave. Materialet e gjetura përfshijnë pjesë kikirikësh, lajthi, fara dhe objekte të tjera, ku një pjesë e konsiderueshme e takon fëmijëve të vegjël dhe moshës parashkollore.
Pulmologu Besim Morina thotë se aspirimi i trupave të huaj përbën problem në disa fusha mjekësore dhe mund të shkaktojë pasoja të rënda në raste të rralla. Morina shton se në shumë raste trupat tërhiqen pa përfundim fatal, por pacientët shpesh mbeten të pavetëdijshëm se i kanë aspiruar ato. «Jo gjithmonë jemi të vetëdijshëm për një trup të huaj të aspiruar, kemi pas raste kur njerëzit kanë aspiruar një trup të huaj dhe pas një kohe, pas ekzaminimeve të ndryshme, bronkoskopisë, endoskopisë, është vërejtur një trup i huaj që është aspiruar para një kohe të gjatë, në ato raste kemi kollë rezistente dhe ngacmuese, një kollë që nuk tërhiqet, pastaj kane dhe nje fishkëllime gjoksi,» tregon ai, duke shtuar se qëndrimi i gjatë mund të shkaktojë pneumoni kronike dhe qelbëzim. Sipas tij, fëmijët dhe të moshuarit me sëmundje neurodegjenerative si Alzheimeri apo skleroza kërkojnë kujdes të veçantë.
Armend Shala nga Kryqi i Kuq thekson se hapi i parë ndaj ngulfatjes është ruajtja e qetësisë dhe vlerësimi i gjendjes së personit. «Hapi i parë që duhet të bëjmë është të mos kemi panik, sado që panikohemi nuk i ndihmojmë as personit në fjalë, as vetes,» shpjegon ai, duke dhënë udhëzime për goditjet në shpinë, përdorimin e metodës së Heimlichut dhe veprimet sipas shkallës së bllokimit të frymëmarrjes te personat e vetëdijshëm apo pa vetëdije.