LSDM-ja nën udhëheqjen e Filipçes sulmon ashpër ish-liderin Cërvenkovski
Lidhja Socialdemokrate hap një front të ri politik duke lëshuar akuza të rënda dhe diskualifikime personale ndaj ish-kryetarit të partisë.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
LSDM-ja nën udhëheqjen e Venko Filipçes ka hapur një front të ri politik, këtë herë kundër ish-kryetarit të partisë, Branko Cërvenkovski, i cili e ka udhëhequr këtë forcë politike që nga themelimi i saj në vitin 1991, ndërsa më vonë ka shërbyer edhe si kryeministër dhe president. Në një komunikatë partiake të publikuar më 29 tetor, drejtuesit e partisë përdorën gjuhë të ashpër ndaj kritikëve të tyre, duke e quajtur Cërvenkovskin «mumie» dhe «fytyrë të balsamosur».
Partia e akuzon ish-liderin se për vite me radhë ka bërë biznes me VMRO-DPMNE-në dhe se ka ndihmuar në krijimin e partisë ZNAM. «Një njeri që për vite me radhë bën biznes me VMRO-në, një njeri që ndihmoi në krijimin e ZNAM-it, versioni i parë. Mickoski e financoi», thuhet në komunikatë. Udhëheqja aktuale pyet gjithashtu nëse kryeministri Hristijan Mickoski e ka pasur fjalën për këtë kur ka përmendur nxjerrjen e «kockave nga e kaluara», dhe shton: «Mjaft më me kockat nga dollapi, me ato mumie dhe fytyra të balsamosura që bënë gjithçka për ta shuar LSDM-në».
Sulmi ndaj Cërvenkovskit vjen brenda një komunikate më të gjerë që trajton kërkesat për reforma brenda partisë, duke i lidhur ato me Platformën, Petre Shilegovin, Maksim Dimitrievskin, Levicën, si dhe me ndikime nga analistë, media, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe shërbime të huaja. Sipas LSDM-së, kërkesat për ndryshime reduktohen në dëshirën për pozita dhe ndryshimin e emrit të subjektit. Komunikata nuk përmend asnjë deklaratë konkrete të Cërvenkovskit, së cilës t'i përgjigjet.