Kurti vlerëson festivalin ReMusica në 25-vjetorin e themelimit
Kryeministri ka pritur drejtuesit e festivalit, ndërsa edicioni jubilar përmbyllet me koncertin e Filharmonisë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur drejtuesit e Festivalit ReMusica, Donika Rudi dhe Viktor Berishaj, për të diskutuar rreth 25-vjetorit të këtij organizimi, kontributit të tij në jetën muzikore dhe planeve për të ardhmen. Gjatë një postimi në rrjetet sociale, kreu i ekzekutivit ka theksuar se gjatë një çerek shekulli ky festival ka prezantuar rreth 500 vepra të kompozitorëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora, duke lidhur krijimtarinë vendore me skenën ndërkombëtare.
Në këtë takim është biseduar gjithashtu për sfidat e organizimit përgjatë gjithë vitit, si dhe për programet ReNew dhe ReMusica Junior që mbështesin zhvillimin e muzikantëve të rinj. Edicioni jubilar përmbyllet me koncertin e Filharmonisë së Kosovës, kitaristit slloven Mak Grgiç dhe dirigjentit Marco Crispo në Atelienë e Pallatit të Rinisë.