Zemaj sfidon Kurtin: Ofroni vetëm 17 emra të mjekëve të kthyer, jo 171
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar ndaj shifrave të kryeministrit për kthimin e trurit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti lidhur me pretendimet për kthimin e profesionistëve shëndetësorë nga diaspora. Gjatë ditës, kreu i ekzekutivit deklaroi se një qind e shtatëdhjetë e një mjekë janë kthyer në vend gjatë këtij viti, duke e cilësuar këtë si dëshmi të rikthimit të trurit.
Ish-ministri i Shëndetësisë i ka kërkuar ekzekutivit dhe institucioneve shëndetësore që të dëshmojnë shifrat e përmendura duke publikuar listat e sakta të personave të punësuar me kontrata të rregullta. «E sfidoj cilindo përfaqësues të Qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë apo SHSKUK-së që të na ofrojë vetëm 17 emra të mjekëve specialistë, jo 171, të cilët janë kthyer nga mërgata gjatë vitit 2025 dhe tashmë janë të punësuar me kontrata të rregullta në sistemin publik shëndetësor të Kosovës», është shprehur Zemaj përmes një postimi.