Vritet 23-vjeçarja shqiptare në Itali, partneri i saj i jep fund jetës
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Toskanën, ku një e re me origjinë shqiptare u vra në banesë nga partneri i saj, i cili më pas vrau veten.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Toskanën e Italisë, ku një 23-vjeçare me origjinë shqiptare është vrarë nga partneri i saj 25-vjeçar në Ponte a Buggiano, në provincën e Pistoias. Viktima është identifikuar si Ionela Girneata, ndërsa autori i dyshuar, Andrea Nardini, i ka dhënë fund jetës pas krimit. Çifti bashkëjetonte prej rreth gjashtë vitesh dhe banonte në katin e sipërm të shtëpisë së gjyshërve të 25-vjeçarit.
Fqinjët e kishin parë të riun duke dalë nga shtëpia pak para orës 08:00 dhe duke u larguar me automjetin e tij. Rreth orës 08:30, në numrin emergjent 112 kishte mbërritur një telefonatë nga vetë 25-vjeçari. «E dashura ime ka vdekur, shkoni atje, në rrugën Roma 45, në Ponte a Buggiano. Ishte një aksident. Nuk duhet ta gjejnë gjyshërit e mi. Unë do të vras veten», kishte deklaruar ai në telefon.
Pas kësaj thirrjeje, ekipet e emergjencës, ambulanca dhe zjarrfikësit hynë në banesë dhe gjetën trupin e pajetë të 23-vjeçares, e cila dyshohet se u godit disa herë në kokë me një girë dore dhe kishte shenja përleshjeje fizike, duke treguar se kishte tentuar të mbrohej. Ndërkohë, policia lokalizoi telefonin e Nardinit në autostradën A1, në zonën e Barberino del Mugello, ku ai i vuri flakën veturës së tij dhe i dha fund jetës.
Hetuesit pritet të analizojnë telefonat celularë të çiftit për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, pasi në banesë nuk u gjet ndonjë letër shpjeguese. Sipas mediave, vetëvrasja e Nardinit ka ndodhur në të njëjtën zonë ku më pak se tre muaj më parë, konkretisht më 3 shtator, një tjetër grua e identifikuar si Lorena Isceri u vra nga ish-partneri i saj.



