Veselaj-Gutaj: Udhëzimi i MASh-it për masat disiplinore synon frikësimin e mësimdhënësve
Drejtoresha e Arsimit në Prizren kërkon ndalimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ 02/2026.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj, ka reaguar ashpër ndaj Udhëzimit Administrativ 02/2026 të lëshuar nga Ministria e Arsimit. Ky akt rregullon procedurat disiplinore për personelin e punësuar në institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese, duke u dhënë kompetenca inspektorëve të arsimit që të ndërmarrin masa deri në shkarkim.
Sipas Veselaj-Gutajt, dokumenti në fjalë është i paligjshëm pasi ka bazë juridike të përcaktuar gabimisht dhe përmban kritere subjektive. Ajo ka përmendur se masat mund të merren për çështje si mosbashkëpunimi, paaftësia psikike, vlerësimi i kundërligjshëm i nxënësve, shmangia nga plani i punës dhe refuzimi i trajnimeve, duke krijuar hapësirë për penalizime të padrejta. «Ky nuk është dokument rregullues, është mënyrë që t’i frikësojë mësimdhënësit», ka deklaruar ajo, duke kërkuar ndalimin e zbatimit të tij për të shmangur pasigurinë në arsim.
Veselaj-Gutaj ka kritikuar qeverisjen qendrore për eksperimentim të vazhdueshëm me shtetin, duke theksuar se politikat duhet të bazohen në ekspertizë profesionale e jo në improvizime. Në fund të reagimit të saj, ajo i ka bërë thirrje ministrisë që hartimin e akteve rregullative t'ua besojë profesionistëve.