MASh: Ruani librat shkollorë dhe dorëzoni te kujdestari i klasës
Ministria e Arsimit paralajmëron verifikim në terren nga Inspektorati për përdorimin e mjeteve të subvencioneve.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar prindërit dhe kujdestarët ligjorë se materialet dhe tekstet e subvencionuara për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, përkatësisht klasat 1–9, duhet të ruhen me kujdes dhe të kthehen në përfundim të vitit mësimor. Sipas njoftimit të publikuar në rrjetet sociale, ky detyrim mbështetet në Udhëzimin Administrativ të MASh Nr. 13/2016 për pajisjen, përdorimin dhe ruajtjen e teksteve, si dhe në Deklaratën e prindit përfitues për vitin 2026-2027, ku theksohet se «nxënësit dhe prindërit kanë përgjegjësi për mirëmbajtjen, ruajtjen dhe kthimin e teksteve shkollore bazë në gjendje të përshtatshme për ripërdorim».
Institucioni shtetëror ka bërë të ditur se dorëzimi i librave bëhet te kujdestari i klasës kur të mbarojë viti mësimor. Për më tepër, Inspektorati i Arsimit do të nisë vizitat nëpër shkolla nga java e ardhshme për të kontrolluar nëse nxënësit janë pajisur me librat e duhur, nëse procesi mësimor po vazhdon rregullisht, si dhe për të verifikuar nëse mjetet e ndara për subvencionimin e tyre janë shfrytëzuar saktësisht për këtë qëllim.