Valona Konstruksion fiton tenderin 512 milionë lekë për parkim nëntokësor në Vlorë
Si do të ndryshojë qarkullimi në qytetin bregdetar me 295 vende parkimi nëntokë?
VLORË — Bashkimi i operatorëve Valona Konstruksion është shpallur fitues i tenderit për ndërtimin e parkimit nëntokësor në Vlorë, pjesë e projektit për zhvillimin e nyjeve multimodale të mobilitetit në rajonin 3 dhe 4. Oferta fituese arriti në 512,5 milionë lekë, 13,9% më e ulët se fondi limit prej 595 milionë lekësh i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Projekti parashikon ndërtimin e një godine parkimi me dy kate nëntokë në pjesën perëndimore të qytetit. Objekti do të ndërtohet mbi një parcelë me sipërfaqe totale prej 9.557,76 metrash katrorë. Niveli i parë nëntokësor do të shtrihet në 9.235,98 metra katrorë dhe do të shërbejë kryesisht për poste parkimi dhe ambiente teknike, me kapacitet për 295 automjete.
Nga këto, pesë vende parkimi do të jenë të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa gjashtë vende do të rezervohen për automjetet elektrike. Sipërfaqja mbi strukturën e parkimit do të sistemohet si park dhe hapësirë publike për qytetarët, do të realizohet me materiale dhe rifinitura në harmoni me shtrimin ekzistues të zonës.
Ndërtimi i parkimit nëntokësor synon të përmirësojë menaxhimin e trafikut dhe parkimit në qytetin bregdetar, duke krijuar njëkohësisht më shumë hapësira publike në funksion të komunitetit dhe vizitorëve.
Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.