Tiranë, arrestohen 23 persona pas protestës dhe përplasjeve me policinë
Pas protestës së zhvilluar në kryeqytet, Policia e Shtetit ka arrestuar 23 persona të moshave 18 deri në 54 vjeç.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
TIRANË — Policia e Shtetit njoftoi se ka arrestuar 23 persona, ka proceduar penalisht 13 të tjerë dhe ka shpallur në kërkim 30 shtetas, pas protestës ku u regjistruan përplasje me uniformat blu dhe dëmtime të godinave të institucioneve shtetërore. Sipas autoriteteve, gjatë tubimit në zona të ndryshme të kryeqytetit, efektivët u sulmuan për orë të tëra nga persona të maskuar me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla. Si pasojë e këtyre sulmeve, disa punonjës policie mbetën të plagosur dhe morën ndihmë mjekësore.
Në njoftimin e policisë theksohet se të arrestuarit janë të moshave nga 18 deri në 54 vjeç, ndërsa protestuesit akuzohen për kundërshtim dhe goditje të punonjësve të policisë, si dhe për dëmtim të godinave të institucioneve. Hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.