LSDM: Qeveria e ka sjellë popullin në varfëri dhe refuzon pagën minimale
Opozita akuzon kabinetin e Mickoskit për mungesë masash ndaj shtrenjtimeve dhe rritje borxhi.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka ngritur akuza të forta ndaj Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, duke pretenduar se qytetarët po përballen me varfëri të tejskajshme për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe mungesës së ndërhyrjeve institucionale. Sipas opozitës, shpenzimet mujore të jetesës janë shtuar me 4.000 denarë që nga fillimi i vitit, ndërsa shporta minimale sindikale për muajin tetor ka kaluar shifrën prej 70.000 denarësh, duke arritur në pothuajse 90.000 denarë kur llogaritet edhe qiraja.
Partia opozitare thekson se rreth 180 mijë punëtorë marrin paga nën 31.200 denarë, kurse paga minimale vazhdon të mbetet në rreth 26 mijë denarë, duke bërë që as tri paga minimale të mos mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet bazë të një familjeje. «Punëtori punon gjatë gjithë muajit, por paga nuk i mjafton për t'jetuar. Ky është realiteti pas përrallave të Mickoskit: jo ekonomia e tretë në Evropë, por standard jetese sa një e tretë e atij evropian», thekson LSDM, duke shtuar se nga janari paralajmërohen shtrenjtime të reja.
Sipas opozitës, ekzekutivi ka refuzuar propozimet e saj për ngritjen e pagës minimale në 600 euro dhe për ndihmën ndaj fermerëve. Po ashtu, rebalancimi i ri i buxhetit u kritikua se nuk parasheh hapa për zbutjen e shtrenjtimeve, por vetëm huamarrje të reja që do të rëndojnë mbi gjeneratat e ardhshme. LSDM pretendon se borxhi shtetëror është rritur për katër miliardë euro gjatë dy vjetëve të qeverisjes, ndërsa fondet, në vend të punëtorëve, po shkojnë për tenderë partiakë.