Berisha: Studentët triumfuan dje ndaj dhunës dhe terrorit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vlerësuar protestën e studentëve në Tiranë si një ditë kulmore triumfi dhe atdhetarizmi.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar në Tiranë, duke e cilësuar atë si ditën kulmore të revoltës 12-ditore të studentëve dhe gjimnazistëve, e cila është shtrirë edhe në disa rrethe të vendit. Gjatë deklaratave të tij, ai u shpreh se «studentët triumfuan sepse ata u faktuan shqiptarëve, por edhe mbarë komunitetit ndërkombëtar se nuk ka dhunë, nuk ka terror, nuk ka kërcënim që mund t’i mposhtë ata».
Berisha e ka përshkruar tubimin si protestën më atdhetare që prej vitit 1990, duke theksuar se ajo buron nga identiteti kombëtar dhe dëshira e të rinjve për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri, përballë një situate ku vendi po përballet me rënie të lindshmërisë dhe largim të banorëve. Sipas kreut të opozitës, protestës i janë bashkuar mijëra qytetarë, sindikata arsimi e minatorësh, si dhe urdhra të arkitektëve e inxhinierëve për të mbështetur kauzën e të rinjve.
Në fjalën e tij, Berisha i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të jep dorëheqjen, duke e akuzuar për situatën në vend dhe duke iu drejtuar me thirrjen se qytetarët janë bërë parzmore e djemve dhe vajzave protestues, ndërsa beteja e tij është e humbur.