Thaçi bën thirrje që nëntorët e ardhshëm të festohen së bashku
Ish-presidenti i Kosovës publikoi një mesazh për 28 Nëntorin në faqen e tij zyrtare.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Në faqen zyrtare të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në rrjetin social Facebook, është publikuar një mesazh urimi shoqëruar me një fotografi nga një takim i mëhershëm me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Përmes këtij publikimi, i cili përfshin një deklaratë të rikthyer të ish-presidentit, 28 Nëntori është cilësuar si dita më e madhe dhe më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.
Në mesazh janë përmendur figura historike si Skënderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini dhe komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. «Sot është dita më e madhe dhe më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Është 28 Nëntori i Skënderbeut. Është 28 Nëntori i Ismail Qemalit e Isa Boletinit, i UÇK-së dhe Adem Jasharit. Sot çdo shqiptar ka festë kombëtare, shtetërore dhe familjare, sepse është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare», thuhet në përmbajtjen e publikuar.
Në fund të mesazhit, qytetarët janë uruar për festën e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, duke shprehur besimin se festat e ardhshme do të kremtohen së bashku. «I uroj shqiptarët për festën e 28 Nëntorit, të festojnë të bashkuar, krenarë dhe me dinjitet. Besoj që nëntorët e tjerë do t’i festojmë bashkërisht. Faleminderit shumë», përfundon mesazhi.


