Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Rrugën e Kombit
Moti i keq përfshin verilindjen e vendit, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Reshjet e dëborës gjatë orëve të fundit kanë përfshirë zonën verilindore, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve në Rrugën e Kombit, veçanërisht në hyrje të tunelit të Kalimashit. Për shkak të asfaltit të mbuluar nga dëbora, disa mjete kanë ndaluar në anë të rrugës, ndërsa në terren kanë mbërritur borëpastrueset dhe karrotrecat për t'u ardhur në ndihmë drejtuesve dhe për të lehtësuar qarkullimin.
Intensiteti i reshjeve ka zvogëluar fushëpamjen për shoferët dhe ka përfshirë edhe qytetin e Kukësit. Në zonat e larta malore, trashësia e dëborës në qafat e maleve ka kaluar dhjetë centimetra. Shoferët që qarkullojnë në akset Kukës–Shishtavec, Bushtricë, Qafë Mali, Krumë–Kam–Tropojë, Bajram Curri–Valbonë dhe Qafë Morinë këshillohen të përdorin goma dimërore dhe të shtojnë kujdesin gjatë udhëtimit.


