Portofoli elektronik me letërnjoftime dhe patentë-shoferë nis nga e enjtja
Qytetarët në Maqedoninë e Veriut do të mund t’i përdorin dokumentet në telefon përmes një aplikacioni të sigurt me kod QR.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Qytetarët në Maqedoninë e Veriut do të mund t’i përdorin letërnjoftimet dhe patentë-shoferët përmes telefonit mobil nga dita e enjtes, me hyrjen në përdorim të portofolit elektronik. Aplikacioni është paralajmëruar nga ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, i cili ka theksuar se ky mjet digjital ofron siguri dhe mbrojtje të të dhënave personale gjatë identifikimit në banka, bare apo vende të tjera, pa pasur nevojë të zbulohen të gjitha informacionet nga dokumentet fizike.
Sipas prezantimit të bërë nga ministri gjatë një paneli për dixhitalizimin, aplikacioni do të promovohet zyrtarisht të mërkurën, më 28 tetor. Identifikimi dhe ndarja e të dhënave do të realizohen përmes një kodi QR njëpërdorimësh që skadon pas 10 deri në 15 sekondash, duke u dhënë mundësi përdoruesve të zgjedhin vetë se çfarë dëshirojnë të ndajnë vetëm me lejen e tyre. Ndërkohë, qytetarët do të kyçen në këtë sistem përmes llogarisë së tyre në Portalin Kombëtar për Shërbime Elektronike – uslugi.gov.mk.
Andonovski ka vlerësuar se ky hap shënon fillimin e një procesi drejt portofolit digjital evropian dhe digjitalizimit të plotë të dokumenteve, ndërsa synohet që në të ardhmen të shtohen edhe shërbime dhe dokumente të reja për qytetarët.