Si trajtohet vjedhja e rrymës dhe ujit në Prishtinë?

Afro 500 raste të regjistruara brenda vitit shpesh përfundojnë me dënime të ulëta ose në ndërmjetësim, ndërsa mungesa e Policisë vështirëson sigurimin e provave.

Si trajtohet vjedhja e rrymës dhe ujit në Prishtinë?
Foto: Pixabay

PRISHTINË — Në emisionin “Kallxo Përnime”, të transmetuar më 20 qershor 2026, është diskutuar për vjedhjen e energjisë elektrike dhe ujit në Kosovë. Diskutimi u përqendrua te trajtimi i këtyre rasteve si dhe te dënimet e ulëta që shqiptohen ndaj qytetarëve dhe bizneseve të përfshira.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Dardan Qela, tha se vetëm gjatë një viti në këtë prokurori janë regjistruar afro 500 kallëzime penale për vjedhje shërbimesh. Sipas tij, një numër i konsiderueshëm i personave janë recidivistë, ndërsa rastet zakonisht mbyllen me dënime me gjobë ose me kusht.

Shefi i Zyrës Ligjore në KRU “Prishtina”, Armend Maka, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 kjo ndërmarrje ka dërguar rreth 103 raste në prokurori për kyçje ilegale në ujësjellës. Sipas tij, shumica e këtyre rasteve janë referuar më pas nga prokuroria në procedurën e ndërmjetësimit ligjor.

Avokati Shkëlqim Jakupi vlerësoi se institucionet duhet ta njoftojnë menjëherë Policinë kur konstatohet vjedhja e shërbimeve. Ai theksoi se mungesa e Policisë në vendin e ngjarjes krijon hapësirë të madhe për keqpërdorime dhe kontestime të mëvonshme të provave të siguruara nga zyrtarët e kompanive në terren.

Jakupi gjithashtu ngriti shqetësimin për faturimin e dyfishtë të dëmit, ku të njëjtin dëm institucionet ua kërkojnë si qiradhënësit ashtu edhe qiraxhiut. Këtë pretendim e kundërshtoi Arjeta Mjeku Azizi nga KRU “Prishtina”, duke sqaruar se për kompaninë përgjegjës mbetet vetëm pronari i faturës dhe i ujëmatësit.

Lidhur me këtë, prokurori Dardan Qela shpjegoi se stacionet policore në Prishtinë janë tejet të ngarkuara met raste të tjera. Megjithatë, ai pranoi se mungesa e Policisë dëmton cilësinë e hetimeve, pasi dëshmitarët e thirrur pas pesë apo gjashtë vitesh shpesh nuk i kujtojnë detajet nga vendi i ngjarjes.

Në fund, monitoruesi i gjykatave nga Kallxo.com, Laurant Berisha, tregoi se shumë qytetarë nuk janë të vetëdijshëm se ndaj tyre zhvillohet procedurë penale përveç faturimit financiar. Ata shpesh kujtojnë gabimisht se i gjithë rasti përfundon vetëm me kryerjen e pagesës së gjobës së shqiptuar nga ndërmarrja.

Burim: Kallxo
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Si kanosoi katër policë me vrasje brenda stacionit të Pejës?
  2. Si shpëtuan pa lëndime banorët nga zjarri në lagjen e Spitalit?
  3. Çfarë pret KQZ-ja para shpalljes së rezultateve përfundimtare?
  4. Pse Ymeri e quan gjuhën e Mihali pengesë për institucionet?

Vazhdo leximin