Shqipëria përballë sfidave të sovranitetit digjital
Analiza e Sadikut kërkon auditime të pavarura mbi AKSHI pasi SPAK-ja heton kontratat me "Soft & Solution" dhe arrestohen Ermal Beqiraj në Francë.
TIRANË — Shqipëria përballë sfidave të reja strategjike të sovranitetit territorial, ekonomik dhe digjital, sipas analizës së Safet Sadikut, e cila thekson se shtetet moderne duhet të garantojnë kontrollin mbi burimet ekonomike, informacionin strategjik, teknologjinë dhe infrastrukturën digjitale që mbështesin institucionet publike.
Sadiku argumenton se sovraniteti modern nuk kufizohet më vetëm në mbrojtjen e kufijve fizike, por përfshin aftësinë për të mbrojtur të dhënat shtetërore, identitetin dhe privatësinë e qytetarëve, si dhe infrastrukturën kritike digjitale e cila sot mbështet shërbimet publike, ekonominë dhe komunikimin institucional.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) përbën një nga institucionet më të rëndësishme të arkitekturës digjitale të Republikës së Shqipërisë, pasi mbi sistemet që ajo administron mbështetet funksionimi i një pjese të konsiderueshme të administratës publike dhe e të dhënave shtetërore.
Në muajt e fundit, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar hetime lidhur me një sërë procedurash prokurimi me vlera të konsiderueshme financiare të realizuara nga AKSHI, ku ndër personat e proceduar figuron biznesmeni Ermal Beqiraj, administrator i kompanisë "Soft & Solution".
Beqiraj është caktuar me masë sigurie "arrest me burg" dhe u ndalua në Francë në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, ndersa procedurat përkatëse ligjore vijojnë sipas kompetencave të autoriteteve përkatëse, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.
Analiza ngrit pyetjen thelbësore: a ka Shqipëria mekanizma të mjaftueshëm ligjorë, teknikë dhe institucionalë për të garantuar se infrastruktura kritike digjitale, sistemet e administrimit publik dhe të dhënat shtetërore janë nën kontroll të plotë, të auditueshëm dhe të mbrojtura nga çdo ndërhyrje e paautorizuar, brendshme apo jashtme.
Sadiku thekson se përgjegjësia politike dhe institucionale nuk mund të shmanget duke u kufizuar vetëm te procedurat penale ndaj individëve, por kërkon shpjegime nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse mbi kriteret e përzgjedhjes së kontraktorëve, vlerësimin e rrezikut, auditimet e kryera dhe garancitë konkrete për kontrollin e kodit burimor dhe të dhënave.
Burim: Fjala
— Redaksia ZHURMA




