RMV dhe Bullgaria nisin koordinimin për tunelin e Korridorit 8
Takimi i parë i grupit të punës u mbajt në Sofje, ndërsa Shkupi ka humbur fondet e Bashkimit Evropian për këtë projekt.
SOFJE — Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë zhvilluar në Sofje takimin e parë të grupit të përbashkët të punës për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8. Ky projekt strategjik rajonal udhëhiqet nga zëvendësministret e Transportit të dy vendeve, Kaltrina Zekolli-Shaqiri dhe Cveta Timeva, të cilat u dakorduan për dinamikën e punimeve.
Palët konfirmuan përkushtimin për intensifikimin e bashkëpunimit teknik dhe koordinimit në çdo fazë realizimi. Gjatë takimit u vendos një dinamikë e qartë e aktiviteteve dhe u përcaktuan obligimet e institucioneve të të dyja shteteve. Takimi i radhës pritet të mbahet në Shkup për të shqyrtuar ecurinë e tyre.
Ky proces po zhvillohet në një moment të ndjeshëm, pasi Maqedonia e Veriut mbeti pa fondet IPA për ndërtimin e pjesës së tretë hekurudhore. Kontrata për këtë segment nuk u nënshkrua brenda afatit ligjor të paraparë, duke bërë që vendi të humbë qasjen në këto grante evropiane.
Për të vazhduar realizimin e projektit, Qeveria në Shkup ka dërguar në Kuvend ndryshime ligjore për kreditë nga BERZH dhe BEI. Këto ndryshime nuk kërkojnë marrjen e huave të reja, por rregullojnë mënyrën e realizimit të ri të kësaj linje të rëndësishme.
Kreditë ekzistuese prej 175 milionë eurosh secila nga këto dy institucione financiare mbeten të pandryshuara në vlerë. Mirëpo, ndryshimet ligjore ofrojnë një strukturë të re zbatuese pasi tenderi i shpallur në vitin 2024 u anulua për shkak të dështimit të lidhjes së marrëveshjes.
Tenderi i ri nuk do të përfshijë ndërtimin e tunelit ndërkufitar me Bullgarinë, por vetëm pjesën hekurudhore nga Kriva Pallanka deri te portali perëndimor i tunelit. Ndërkohë, Qeveria merr përsipër që mjetet deri në 52 milionë euro për elektrifikimin e tri pjesëve dhe sistemet sinjalizuese e telekomunikuese t'i sigurojë nga buxheti i shtetit pas vitit 2032.
Nëse Bashkimi Evropian nuk ndan grante shtesë për tunelin, Maqedonia e Veriut paralajmëron se do t'i mbulojë këto shpenzime vetë po ashtu pas vitit 2032. Ky korridor mbetet një rrugë kyçe që synon të lidhë Adriatikun me Detin e Zi përmes tri shteteve ballkanike.
Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA