Hoxha: Mbyllja e negociatave me BE-në deri në vitin 2027 është e arritshme
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi një takim në Berlin me anëtarët e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim në Berlin me anëtarët e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian të Bundestagut gjerman, ku është diskutuar mbi ecurinë e vendit drejt Bashkimit Evropian. Gjatë këtij takimi, kreu i diplomacisë shqiptare u ndal te reformat dhe puna e deritanishme, duke vlerësuar se raporti i Komisionit Evropian shërben si një pasqyrë e qartë e zhvillimeve në vend.
Hoxha u shpreh se objektivi për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit brenda vitit 2027 paraqitet si një synim kërkues, por plotësisht i realizueshëm falë angazhimit institucional. Sipas tij, procesi mbështetet te vendosmëria për të përmbushur standardet e kërkuara, ndërkohë që u vu në dukje se Shqipëria ndryshon rrënjësisht nga periudha kur nisi rrugëtimin evropian dhe kërkon vlerësim vetëm mbi bazën e meritave dhe rezultateve.
Duke falënderuar kryetarin Hofreiter dhe anëtarët e komisionit për mikpritjen, ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së deritanishme nga Gjermania.