Sa euro i ka hequr Kosova Trustit në dhjetë vjet?
Çfarë thonë të dhënat e publikuara nga Fondi i Kursimeve Pensionale për periudhën 2015-2025?
PRISHTINË — Qytetarët e Kosovës kanë tërhequr rreth 744 milionë euro nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) gjatë periudhës 2015-2025, përmes dy kanaleve: pensionimit zakonshëm dhe skemës së tërheqjes së parakohshme të 10-përqindëshit të kursimeve gjatë pandemisë COVID-19.
Sipas të dhënave të publikuara nga Trusti, nga viti 2015 deri në vitin 2025 janë tërhequr rreth 546 milionë euro nga 72.745 përfitues që kanë dalë në pension. Vlera më e lartë e tërheqjeve për pensionim është regjistruar në vitin 2020, kur janë tërhequr 235 milionë euro.
Kjo shifër lidhet me zbatimin e masës së tërheqjes së 10-përqindëshit të kursimeve pensionale, e miratuar në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë. Vetëm gjatë periudhës nga 11 dhjetori 2020 deri më 6 prill 2021, qytetarët kanë tërhequr edhe 198.1 milionë euro, ndërsa nga kjo masë kanë përfituar 427.363 persona.
Numri i përfituesve të pensionit është rritur vazhdimisht ndër vite, duke arritur në 8.633 persona gjatë vitit 2025, që paraqet shifrën më të lartë në periudhën e analizuar. Pas vitit 2020, tërheqjet vjetore për pensionim kanë mbetur në nivele të larta: 71.6 milionë euro në 2023, 69.7 milionë në 2024 dhe 82.9 milionë në 2025.
744 milionë euro në dhjetë vjet do të thotë se Trusti ka dalë çdo vit mesatarisht 74 milionë euro më pak në tregun e kapitalit — një presion i vazhdueshëm mbi fondin që duhet të mbajë peshën e pensioneve të ardhshme.
Burim: Lajmi.net, https://lajmi.net/qytetaret-e-kosoves-terhoqen-744-milione-euro-nga-trusti-ne-dhjete-vjet/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.