Qeveria nis procedurën për shpronësimin e pronave për autostradën
Qeveria e Kosovës ka nisur procedurën për shpronësimin e pronave në Lipjan për autostradën Prishtinë-Gjilan.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
GJILAN — Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të nisur procedurën e shpronësimit të pronave private dhe publike në zonat kadastrale Smallushë dhe Sllovi të Komunës së Lipjanit. Ky proces përfshin zonat që preken nga projekti i ndërtimit të autostradës Prishtinë-Gjilani-Dheu i Bardhë, specifikisht në segmentin Banullë-Bresalc. Vendimi me numër 11/08 u mor më 28 tetor nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti dhe u publikua në Gazetën Zyrtare më 4 nëntor.
Sipas dokumentit zyrtar, vlera e kompensimit për pronat e shpronësuara do të caktohet nga Departamenti për Vlerësimin e Pronave në kuadër të Ministrisë së Financave, ndërsa mjetet financiare do të sigurohen nga Ministria e Infrastrukturës përmes ndarjes buxhetore për vitin 2027. Për këtë proces është caktuar mbajtja e një dëgjimi publik më 26 nëntor, në ora 10:30, në Sallën e Kuvendit Komunal të Lipjanit, ku pronarët dhe personat e interesuar mund të shprehin qëndrimet e tyre dhe të paraqesin komente me shkrim pranë Departamentit të Shpronësimit brenda 10 ditëve kalendarike.