Qeveria ndan 275 mijë euro për shtëpitë e komuniteteve joshumicë
Ekzekutivi ka miratuar mbështetjen financiare për rinovimin e njësive të banimit në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
MITROVICË — Kabineti qeveritar ka vendosur të ndajë fondin prej 275 mijë eurosh për përmirësimin e kushteve të banimit të komuniteteve joshumicë në dy komunat veriore. Ky vendim ka ardhur pas propozimit të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili gjatë mbledhjes së ekzekutivit ka bërë të ditur se janë kryer verifikimet e nevojshme në terren.
Sipas ministrit Krasniqi, kërkesat për mbështetje kishin mbërritur nga përfaqësuesit dhe administrata e komuniteteve në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, ndërsa analiza e gjendjes aktuale ka dëshmuar se disa familje ballafaqohen me kushte të rënda dhe të papërshtatshme banimi. Kryeministri Albin Kurti ka theksuar angazhimin e qeverisë për barazi ndërmjet të gjitha komuniteteve dhe për ngritjen e cilësisë së jetesës për qytetarët.