Parashikimet e FMN-së për ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin World Economic Outlook me parashikimet për rritjen ekonomike dhe inflacionin.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin World Economic Outlook, ku jepen parashikimet për zhvillimet ekonomike në vendet e rajonit. Për Kosovën, rritja ekonomike parashikohet të arrijë në 3,5 për qind gjatë vitit 2026, duke shënuar një ngadalësim të lehtë nga 3,6 për qind sa ishte gjatë vitit 2025, ndërsa për vitin 2027 pritet një rritje prej 3,6 për qind. Në të njëjtën kohë, inflacioni në vend pritet të shënojë rritje nga 3,9 për qind sa ishte më 2025, në 6,8 për qind gjatë vitit 2026, përpara se të ulet në 4,5 për qind në vitin 2027. Po ashtu, raporti parashikon zgjerim të deficitit të llogarisë rrjedhëse për Kosovën nga 8,3 për qind e BPV-së në vitin 2025, në 9,3 për qind më 2026, kurse për vitin 2027 ky deficit parashikohet të jetë 8,9 për qind.
Nga ana tjetër, për Shqipërinë, parashikimi i rritjes ekonomike për vitin 2026 është rritur në 3,5 për qind, ndërsa inflacioni mesatar pritet të zbresë në 3,2 për qind. Deficiti i llogarisë korrente për ekonominë shqiptare parashikohet të jetë 2,1 për qind e PBB-së në vitin 2026, kurse norma e papunësisë atje parashikohet të mbetet në 8,7 për qind si për vitin 2026, ashtu edhe për vitin 2027.