Sa është pensioni mesatar i pensionistëve të rinj?
Deputetja Jorida Tabaku thekson se rritja ekonomike 24% nuk shfaqet në pensione; 55% e tyre merr 13.500 lekë, më të rinjtë 16.000 lekë, ndërsa 27% jetojnë në varfëri ekstreme.
— Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sërish për situatën e pensioneve në Shqipëri, duke theksuar se rritja ekonomike e propaganduar nga qeveria nuk po shkon te qytetarët, por po përqendrohet te një pakicë e privilegjuar.
Sipas Tabakut, pensionistët janë prova më e qartë se ekonomia shqiptare nuk po prodhon mirëqenie për shumicën. Qeveria pretendon se nga viti 2021 deri në vitin 2025 ekonomia është zgjeruar me mbi 24%. Por gjatë së njëjtës periudhë pensionet nuk kanë ndjekur rritjen ekonomike, ndërsa çmimet dhe kostot e jetesës janë rritur vazhdimisht.
Ajo thekson se sot 27% e popullsisë në moshë pensioni po shtyhet drejt kufirit të varfërisë ekstreme, ndërsa pensioni mesatar i pensionistëve të rinj ka rënë në vetëm 16 mijë lekë në muaj. Rreth 55% e 641 mijë pensionistëve marrin mesatarisht vetëm 13,500 lekë në muaj, një shumë që nuk mbulon as nevojat më elementare të jetesës.
Për Tabakun, këto shifra tregojnë se rritja ekonomike nuk po përkthehet në pensione më të larta, në më shumë siguri apo në një jetë më dinjitoze për të moshuarit. Përkundrazi, ndërsa ekonomia rritet në statistikat e qeverisë, pensionistët humbasin fuqinë blerëse dhe detyrohen të luftojnë çdo muaj vetëm për mbijetesë.
Sipas deputetes demokrate, ky është rezultati i një sistemi që u merr shumicës për të mbrojtur pakicën. Një sistem ku fondet, privilegjet dhe përfitimet ekonomike përqendrohen te një grup i vogël, ndërsa pensionistëve u ofrohen indeksime minimale, të paraqitura si dhurata të qeverisë. “Ekonomia mund të rritet në letrat e qeverisë, por pensionet bien, çmimet rriten dhe familjet varfërohen”, thekson Tabaku.
Burim: Shqiptarja, shqiptarja.com
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.