Pse Komuna e Strugës planifikon të mbyllë tetë shkolla fillore rajonale?
Autoritetet lokale në Strugë po ndërmarrin një plan racionalizimi për bashkimin e shkollave që nuk kanë numër të mjaftueshëm nxënësish për të shmangur krizën.
STRUGË — Komuna e Strugës planifikon të zbatojë një plan për mbylljen e tetë shkollave fillore rajonale nga 24 gjithsej, duke nisur nga 1 shtatori. Ky vendim synon të parandalojë kolapsin financiar të komunës, duke transferuar nxënësit në shkolla më të mëdha qendrore.
Sipas planit, nxënësit nga Radozhda do të udhëtojnë drejt shkollës “Josip Broz Tito” në Strugë. Fëmijët nga Kalishti do të ndjekin mësimin në shkollën “Vëllezërit Milladinov”, ndërsa ata nga fshatrat Xhepin dhe Poum do të vazhdojnë mësimin përkatësisht në Koroshishtë e Dellogozhdë.
Procesi i pezullimit ka nisur, pasi shkolla në Nerez ka tre muaj që është mbyllur. Po ashtu, në shkollën “Ashim Agushi” në Radolishtë janë shuar dy paralele, ndërsa deri në fund të vitit shkollor 2026–2027 parashikohet të racionalizohen edhe katër klasa të tjera.
Në fshatin Dobovjan shtatë fëmijë mund të qëndrojnë në një paralele të kombinuar ose të shkojnë në Veleshtë. Rreziku i mbylljes vlen edhe për shkollat rajonale në Bogovicë, Tatesh dhe Tatesh të Poshtëm, të cilat i përkasin shkollës “Nuri Mazari” në Dellogozhdë.
Komuna synon të mbyllë edhe katër shkolla fillore qendrore në Podgorcë, Tatesh, Jabllanicë dhe Drasllajcë, duke i bashkuar ato me qendrat më të afërta. Kjo do të zvogëlojë numrin e shkollave qendrore nga 12 në tetë, pasi ato nuk plotësojnë më kushtet.
Nga sektori i arsimit në komunë sigurojnë se stafi me vendim pune nuk do të largohet. Racionalizimi do të prekë vetëm ata pa vendim pune, ndërsa punonjësit e tjerë do të trajtohen si asistentë arsimorë ose do të sistemohen në kopshte të reja apo pas pensionimeve.
Ky propozim kërkon miratimin nga Këshilli i komunës, ndërsa pritet të zhvillohen edhe takime publike me banorët e prekur. Autoritetet theksojnë se nëse plani i racionalizimit nuk zbatohet, komuna rrezikon të përfundojë në kolaps financiar për shkak të shpenzimeve të larta.
Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.