Vazhdo leximin
⌕ ☆
Politikë

Protestë në Prishtinë kundër vrasjes së grave dhe dhunës gjinore

Qytetarët marshojnë në kryeqytet për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale.

Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim

PRISHTINË — Qytetarë të shumtë janë mbledhur në Prishtinë për të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare kundër vrasjes së grave dhe dhunës me bazë gjinore. Organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, marshimi ka nisur nga katedralja “Nënë Tereza”, ndërsa protestuesit planifikojnë të ndalen para Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, stacionit policor dhe ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të kërkuar llogaridhënie institucionale.

Protestë në Prishtinë kundër vrasjes së grave dhe dhunës gjinore
Video · YouTube ↗

Gjatë marshimit, pjesëmarrësit kanë shfaqur pankarta me mesazhe të ndryshme, ndër të cilat spikatnin thirrjet “Kur lind djalë qitet alltia, kur je grua alltia drejtohet kah ti”, “Patriarkati e feston djalin, e çikën as nuk e mbron” dhe “Siguria e grave është përgjegjësi shtetërore”. Protestuesit kërkojnë po ashtu trajtimin e vrasjes së grave si urgjencë kombëtare, sigurimin e banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingu apartiak dhe i pavarur i sistemit të drejtësisë, si dhe legalizimin e sprejit vetëmbrojtës për gratë.

Kolektivi feminist ka paraqitur kërkesa specifike për shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgimin e disa zyrtarëve, përfshirë kryeprokuroren Lumturije Vuçetaj, prokuroren e rastit Suada Rama Hamza, kryetarin e gjykatës Shemsedin Haxhiaj, gjykatësin Migjen Kastrati, ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale, Shpresa Lukajt, si dhe togerin Faruk Muqolli. Kërkesa për shkarkim apo dorëheqje është drejtuar edhe ndaj ministres së Drejtësisë Donika Gërvalla, ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, si dhe kryetarit të Pejës Gazmend Muhaxheri.

Protesta vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra me sëpatë në shtëpinë e saj në Pejë, ngjarje për të cilën dyshohet ish-kunati i saj. Sipas të dhënave nga terreni, viktima kishte dërguar letra në institucionet e drejtësisë duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. Ndonëse disa zyrtarë janë suspenduar dhe drejtori i Policisë Gazmend Hoxha ka dhënë dorëheqje, pjesëmarrësit vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi të plotë nga drejtuesit e institucioneve të drejtësisë.

Lexo edhe

Më shumë →
Facebook WhatsApp X
LIVE Rr.Tirana, Prizren 26 kamera →
Pyet Zhurmën
Shërbime, enciklopedi dhe lajme