Pse protesta në Tiranë tani është zëri i një shoqërie që 'nuk mban më'?
Kryebashkiake shqiptare në Itali shpjegon pse protestat kanë tejkaluar çështjen e Zvërnecit dhe çfarë presioni ushtrojnë mbi partnerët europianë të Edi Ramës.
TIRANË — Protesta që prej më shumë se një muaji po zhvillohet në Tiranë ka marrë mbështetje të gjerë edhe nga diaspora, me një zë të spikatur atë të Sindi Manushit, kryebashkiake e Pieve di Cadore në Itali. Në një lidhje direkte për Report Tv, Manushi theksoi se nuk mori pjesë si vëzhguese, por si pjesë e protestës, duke ndjekur lëvizjen që nga dita e parë dhe duke organizuar tubime në Itali, komunikim me eurodeputetë dhe mbështetje në rrjetet sociale.
Sipas saj, protesta tashmë nuk ka të bëjë vetëm me Zvërnecin ose çështjet mjedisore, por është shndërruar në një reagim të gjerë qytetar ndaj problemeve të grumbulluara ndër vite. "Kjo protestë lindi në Zvërnec, por nuk i përket vetëm Zvërnecit. Ka të bëjë me një shoqëri shqiptare që ka arritur në një pikë ku nuk mban më. Na mohohen të drejtat më bazike dhe njerëzit e dinë shumë mirë pse po protestojnë," deklaroi ajo.
Manushi vlerësoi se, pas fokusit fillestar të mediave ndërkombëtare te emri i Jared Kushner, tashmë edhe partnerët europianë kanë kuptuar thelbin e protestës. "Eurodeputetët e kuptuan se kjo protestë shkon shumë më tej sesa çështja e Kushnerit apo problemet mjedisore. Është një protestë për mënyrën se si qeveriset Shqipëria," tha ajo, duke shtuar se protestat kanë vënë në siklet edhe partnerët politikë të Edi Ramës në Europë.
Sipas kryebashkiake shqiptare, Partia Socialiste Europiane dhe liderët e saj e kanë të vështirë të mbrojnë qeverinë shqiptare, pasi Partia Socialiste Shqiptare, sipas saj, është larguar prej kohësh nga parimet e së majtës europiane. "Partitë dhe liderët që janë më tepër në siklet në këtë moment janë sigurisht liderët e majtë europianë dhe Partia Socialiste Europiane, sepse Partia Socialiste Shqiptare ka socialist vetëm emrin. Politikat e saj nuk janë të majta, nuk ka shtet social në Shqipëri," theksoi Manushi.
Duke komentuar ngjarjet e fundit para Parlamentit, Manushi e quajti hedhjen e vezëve një akt simbolik dhe provokues politik, ndërsa reagimin e Policisë e vlerësoi të tepruar. "Nuk dua të justifikoj asnjë akt dhune, bot për mua hedhja e vezëve është një akt simbolik. Reagimi i policisë ishte i shpërpjestuar," tha ajo, duke shtuar se protesta ka bashkuar qytetarë me bindje të ndryshme politike, por me një kërkesë të përbashkët: dorëheqjen e kryeministrit dhe anulimin e ligjit 21/2024.
Burim: Shqiptarja
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.