Projektligji synon punësim të përhershëm për të angazhuarit në shtet
Një nismë e re ligjore synon transformimin në marrëdhënie të rregullt pune për mijëra persona të angazhuar me kontrata në institucionet shtetërore.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Një projektligj i paraqitur nga VMRO-DPMNE dhe VLEN synon t'i japë mundësinë e kalimit në marrëdhënie të rregullt pune me afat të pacaktuar personave që prej vitesh punojnë në institucionet shtetërore me kontrata pune, kontrata autori apo përmes agjencive të punësimit të përkohshëm. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, u shpreh se propozimi synon t'i japë fund pasigurisë shumëvjeçare në sektorin publik. «Ky është një problem pas të cilit nuk qëndrojnë vetëm kontrata, dokumente dhe procedura administrative, por fate njerëzore, familje dhe njerëz që prej vitesh jetojnë në pasiguri për të ardhmen e tyre», deklaroi Stojanoski.
Nga ana tjetër, Bekim Qoku, deputet dhe koordinator i Grupit Parlamentar të VLEN-it, i cili njoftoi se e ka nënshkruar dhe dorëzuar propozim-projektligjin, theksoi se nisma i jep zgjidhje një çështjeje që ka prekur mijëra qytetarë. «Punonjësit e administratën meritojnë dinjitet dhe siguri. Koha kur ata shfrytëzoheshin si makineri votimi, shantazhoheshin me vendin e punës dhe bukën e gojës, ka marrë fund!», u shpreh Qoku.
Dispozitat e projektligjit shtrihen në organet e pushtetit shtetëror, komunat, ndërmarrjet publike, fondet, institutet, si dhe institucione publike në shëndetësi, kulturë, mbrojtje të fëmijëve dhe shërbime sociale. Përfitues mund të jenë personat që kanë kontratë të vlefshme në ditën e hyrjes në fuqi të ligjit dhe e kanë aktive në momentin e transformimit. Nga zbatimi përjashtohen shoqëritë aksionare, shkollat fillore dhe të mesme, institucionet e arsimit të lartë dhe shkencore, Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe shërbimet e sigurisë.
Pas hyrjes në fuqi të ligjit, institucionet do të kenë afat prej 90 ditësh për të lidhur kontratat ose për të nxjerrë vendimet e punësimit. Procesi do të zhvillohet në faza, ku për deri në 50 për qind të personave kontratat do të zbatohen menjëherë pas nënshkrimit, ndërsa për pjesën e mbetur afati përfundimtar është 31 dhjetor 2027. Projektligji përfshin gjithashtu masa mbrojtëse, duke ndaluar institucionet t'ua ndërpresin kontratat punonjësve para hyrjes në fuqi të vendimeve, përveç rasteve të shkeljes së detyrimeve. Nisma duhet të përfundojë procedurën ligjore, ndërsa zbatimi varet nga miratimi dhe hyrja në fuqi.