Çfarë ndodhi me personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë?

Rreth 1,600 persona mbeten të pagjetur dhe familjet e tyre vazhdojnë të kërkojnë fatin e tyre

Çfarë ndodhi me personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë?
Ilustrim · Parliament of Republic of Kosovo 2 (CC BY-SA 4.0) / Wikimedia Commons

— Gjilan, debat rreth planit serb për zhdukjen e gjurmëve dhe sfidat për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Qindra familje në Kosovë vazhdojnë të jetojnë mes shpresës dhe dhimbjes, pa e ditur ende fatin e më të dashurve të tyre që u zhdukën gjatë luftës. Edhe 27 vjet pas përfundimit të saj, çështja e personave të zhdukur mbetet një nga plagët më të rënda dhe më të pambyllura të shoqërisë kosovare.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998, në kuadër të një fushate të gjerë arrestimesh, civilë të pafajshëm u ndaluan dhe u dërguan në burgje të ndryshme në Serbi. Rreth 2,000 persona u privuan nga liria, ndërsa një pjesë e tyre mbetën në paraburgim dhe në burgje deri në fund të vitit 2002.

Sipas të dhënave, rreth 48 persona nga Gjilani, Kamenica, Ranillugu, Parteshi dhe Vitia vazhdojnë të figurojnë në listën e personave të zhdukur. Këto rrëfime janë sjellë në dokumentarin e realizuar nga BIRN Kosova, i cili dokumenton dëshmitë e familjarëve të personave të zhdukur, dëshmitarëve dhe personave të përfshirë në procesin e kërkimit të tyre.

Dokumentari është realizuar pas më shumë se 200 orësh intervista dhe trajton jo vetëm historitë personale të familjeve, por edhe krimet e kryera gjatë luftës, përfshirë transportimin e trupave të viktimave të masakrave kolektive në Serbi, me qëllim fshehjen e gjurmëve të krimit.

Pas shfaqjes së dokumentarit u organizua edhe një debat publik, ku u diskutuan sfidat që vazhdojnë ta përcjellin procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, përgjegjësia institucionale për hetimin e krimeve të luftës, mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe roli i familjarëve, institucioneve dhe shoqërisë civile në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë.

Në debat morën pjesë Ilir Morina nga Prokuroria Speciale, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Kreshnik Gashi nga KALLXO.com, të cilët folën për sfidat e hetimeve, procesin e identifikimit të mbetjeve mortore dhe pengesat që, edhe pas më shumë se dy dekadash, vazhdojnë ta mbajnë të pazbardhur fatin e mbi 1,600 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Duke folur për sfidat e hetimit të krimeve të luftës dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, tha se gjatë pesë viteve të fundit institucionet kanë ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar hetimet, duke krijuar struktura të specializuara si në Prokurorinë Speciale, ashtu edhe në Policinë e Kosovës.

Sipas tij, një nga zhvillimet më të rëndësishme ka qenë themelimi i Njësisë për Personat e Pagjetur në kuadër të Policisë së Kosovës, e cila merret ekskluzivisht me mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve që lidhen me rastet e personave të zhdukur.

Policia e Kosovës ka krijuar një strukturë të posaçme, e cila merret me adresimin e krimeve të luftës dhe është e ndarë në dy njësi. Njësia e parë merret vetëm me hetimin e vrasjeve, dëbimeve dhe veprave të tjera, kurse njësia e dytë, që quhet Njësia për Personat e Pagjetur, adreson të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me personat e pagjetur.

Aty janë caktuar 11 policë, të cilët ekskluzivisht, 24 orë merren me informacionet për të pagjetur

Burim: Kallxo, https://kallxo.com/lajm/gjilan-debat-rreth-planit-serb-per-zhdukjen-e-gjurmeve-dhe-sfidat-per-zbardhjen-e-fatit-te-personave-te-pagjetur/
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Pse u dorëzua Drejtoresha e Nefrologjisë në QKUK?
  2. Pse paralajmëron Maloku situatën politike në Kosovë?
  3. Pse AUV demanton publikimin e rezultateve të analizave të qumështit Vita?
  4. Pse u përmbajnë qumësht pluhur në produktet e qumështorja 'Vita'?

Vazhdo leximin