Përparim Rama paralajmëron padi civile ndaj Egzon Azemit
Kryetari i Prishtinës ka kërkuar tërheqjen e akuzave, përgënjeshtrimin publik dhe falje nga deputeti brenda shtatë ditëve.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar padi civile ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi. Rama i ka kërkuar deputetit që t'i tërheqë akuzat e pabazuara për kryerje të veprave penale, t'i përgënjeshtrojë publikisht dhe të kërkojë falje. Nëse këto kërkesa nuk përmbushen brenda shtatë ditëve, ai ka paralajmëruar se do të ushtrojë padi civile për shpifje dhe kompensim të dëmit jomaterial.
Rama ka kritikuar deklaratat e deputetit, duke theksuar se asnjë parti politike apo deputet nuk mund të marrë rolin e prokurorisë, gjykatës apo organit të drejtësisë. Ai ka theksuar se drejtësia nuk ndahet në zyrat e partive dhe se fajësia nuk përcaktohet përmes statuseve në Facebook apo sipas dëshirave të pushtetit. Kryetari i Prishtinës ka shtuar se nuk i frikësohet asnjë hetimi apo procesi ligjor, por ka kundërshtuar përdorimin e shpifjeve dhe linçimit publik si mjete të përballjes politike, duke shtuar se mandati i deputetit nuk është licencë për të shpifur.