Parapërgatitjet në Kodrën e Diellit dhe risitë për sezonin turistik
Qendra turistike e Kodrës së Diellit ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa drejtuesit paralajmërojnë risi për fëmijët dhe ndërhyrje në infrastrukturë.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Qendra e skijimit në Kodrën e Diellit ka nisur parapërgatitjet për sezonin e sivjetmë turistik, ku risi do të jetë shtimi i një staze të re për fëmijë që do të ketë edhe skiliftin e vet. Drejtori i Kodrës së Diellit, Gani Aliji, bëri të ditur se është kryer incizimi nga Fakulteti i Makinerisë, nga i cili pritet përfundimisht leja për një sezon të mbarë.
Sipas Alijit, gjatë kësaj periudhe janë rregulluar problemet me rrjetet e ujërave nën gjashtëulësen, është ndryshuar linja optike dhe janë zëvendësuar hyrje-daljet për skijatorët që ishin mbi dhjetë vjet të vjetra. Gjithashtu, janë bërë përgatitjet për linjën dhe internetin për "Land lift"-in për fëmijë prej 100 metrash, i cili pritet të mbërrijë në ski-qendër në fund të muajit.
Çështja e parkimit pritet të mbetet sfidë edhe këtë vit, por kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, u shpreh se ky problem do të zgjidhet përmes qarkores së re. Sipas tij, po zhvillohen punimet finale për rrugën e re të qasjes, e cila do t'i japë fund problemeve të qasjes në pikun e sezonit.
Nga ana tjetër, sipas informatave nga objektet hotelerike dhe ski-qendra, çmimet për biletat sezonale dhe ditore, si dhe për banimin në hotele e shtëpiza me qira, do të mbeten të njëjta edhe sivjet.