Pajisjet dimërore të detyrueshme nga 15 nëntori në Maqedoninë e Veriut
Policia paralajmëron kontrolle dhe gjoba për shoferët që nuk respektojnë rregullat e reja të qarkullimit rrugor.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Në Maqedoninë e Veriut, më 15 nëntor hyn në fuqi detyrimi ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore në automjete, një rregull që do të mbetet në fuqi deri më 15 mars të vitit të ardhshëm, pavarësisht kushteve atmosferike në rrugë, sipas njoftimeve të mediave. Për zbatimin e këtij vendimi, policia do të kryejë kontrolle në trafik, ndërsa drejtuesit e mjeteve që nuk i përmbushin kushtet e parapara do të përballen me një gjobë prej 45 eurosh në kundërvlerë denarësh.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet, automjetet me peshë deri në 3.500 kilogramë duhet të pajisen me goma dimërore në të katër rrotat, me një thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash, ose me goma verore me profil minimal prej 4 milimetrash të shoqëruara me zinxhirë bore për rrotat lëvizëse. Nga ana tjetër, automjetet me katër rrota aktive duhet të kenë goma dimërore me profil minimal prej 6 milimetrash, apo goma verore me profil minimal prej 4 milimetrash bashkë me zinxhirë bore për së paku boshtin e pasmë. Përballë këtyre detyrimeve, autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve që t’i përgatisin automjetet e tyre me kohë për të shmangur rrezikimin e sigurisë në trafik.