Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut bie në nivelin më të ulët të besimit
Besimi i qytetarëve në drejtësi ka rënë në vetëm 2 për qind, ndërsa krerët e Gjykatës Kushtetuese bëjnë përgjegjës të gjithë sistemin shtetëror.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut po ballafaqohet me një krizë të thellë besueshmërie, pasi shifrat e besimit të qytetarëve kanë rënë në vetëm 2 për qind. Kjo situatë ka ngritur shqetësime serioze për funksionimin e institucioneve dhe për respektimin e sundimit të ligjit në vend.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, theksoi se përgjegjësia për këtë nivel nuk i takon vetëm pushtetit gjyqësor, por pasqyron funksionimin e të gjithë sistemit shtetëror. Ai u bëri thirrje tri pushteteve për komunikim dhe respekt të ndërsjellë, duke e krahasuar organizimin e shtetit me një orkestër që duhet të veprojë në harmoni kushtetuese. «Pavarësisht se për cilën nga pushtetet bëhet fjalë, nëse ajo përballet me besimin historikisht më të ulët, kjo është rezultat i të gjithë sistemit», deklaroi Kostadinovski.
Nga ana e tij, gjyqtari Osman Kadriu vlerësoi se kriza lidhet me mosrespektimin e së drejtës në vend dhe në rajon, duke shtuar se përgjegjësia shtrihet edhe te miratimi i ligjeve që bien ndesh me parimet e drejtësisë kushtetuese nga shtëpia ligjvënëse. «Besueshmëria është shumë e ulët dhe për këtë flet vetë fakti se besueshmëria ka zbritur në 2% me tendencë për te shkuar ende më poshtë deri në minus», u shpreh Kadriu, duke theksuar se puna dhe vendimet e gjykatave gjithashtu ndikojnë në këtë perceptim.