OSBE vlerëson reformat në drejtësi të ministrit Shasivari
Shefi i Misionit të OSBE-së vlerëson përparimin e reformave në drejtësi, ndërsa ministri Jeton Shasivari flet për prioritetet e institucionit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Kilian Val, ka vlerësuar përkushtimin dhe përparimin e arritur në procesin e reformave në drejtësi, duke theksuar angazhimin e Qeverisë dhe institucioneve gjatë një interviste për Agjencinë Informative të Maqedonisë (MIA). Këto vlerësimi vijnë në një periudhë të rëndësishme për zbatimin e agjendës reformuese dhe procesit të integrimit evropian, ndërsa Ministria e Drejtësisë udhëheq këtë proces me fokus te sundimi i ligjit.
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, duke shtuar se puna nuk duhet të kufizohet vetëm te ndryshimet normative. «Mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe vlerësimi i përparimit të reformave janë inkurajim për të vazhduar me më shumë përgjegjësi. Fokusi ynë nuk është vetëm miratimi i ligjeve të reja, por krijimi i një sistemi drejtësie të pavarur, profesional dhe efikas, ku sundimi i ligjit zbatohet në praktikë», u shpreh Shasivari.
Në kuadër të agjendës së saj, Ministria e Drejtësisë po angazhohet në përgatitjen e Kodit të ri Penal dhe Ligjit të ri për Procedurën Penale. Po ashtu, synohet fuqizimi i institucioneve, rritja e përgjegjësisë institucionale dhe forcimi i mekanizmave kundër korrupsionit, për të garantuar siguri juridike dhe trajtim të barabartë për qytetarët.