Nuñez: 70 mijë efektivë policie në gatishmëri për protestat në Francë
Franca angazhon 70 mijë efektivë policie dhe xhandarë për shkak të rrezikut të përshkallëzimit të dhunës në demonstrata.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Franca do të angazhojë 70 mijë efektivë policie dhe xhandarë për demonstratat e planifikuara në disa qytete të vendit. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, gjatë një konference për shtyp në Paris, ku konfirmoi këtë shifër dhe paralajmëroi rrezik për përshkallëzim të dhunës.
Sipas ministrit, niveli i rrezikut është i njëjtë me atë të protestave të zhvilluara gjatë të shtunave të mëparshme. Nuñez ngriti shqetësimin për thirrjet në rrjetet sociale për «dhunë, bllokada, revolucion dhe kryengritje», duke përmendur gjithashtu lëvizjet e ekstremit të majtë dhe grupet radikale që mund të ndikojnë në situatë.
Protesta e re është thirrur nga sindikatat dhe pritet të përfshijë edhe studentë dhe pjesëmarrës të lëvizjes së «Jelekëve të Verdhë».