Nikolloski: RMV-ja synon 50 mijë punëtorë të huaj deri në vitin 2030
Zv. kryeministri Aleksandar Nikolloski njoftoi se vendi përballet me mungesë të fuqisë punëtore dhe synon rritjen e kuotave për punëtorët e huaj.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Komunikacionit, Aleksandar Nikolloski, bëri të ditur se shteti ka probleme me mobilizimin e fuqisë punëtore, ndërsa vlerësoi vendimin qeveritar për ngritjen e kuotës vjetore nga 10 në 13 mijë punëtorë të huaj. Sipas tij, vitin e ardhshëm kjo shifër duhet të rritet edhe më tej.
«Nëse doni mendimin tim, mendoj se vitin e ardhshëm duhet të shkojë në 20 mijë dhe deri në vitin 2030, duhet të arrijmë 50 mijë punëtorë të huaj në vit që do të punojnë në Maqedoni, nëse duam të ruajmë këtë nivel të rritjes së BPV-së», u shpreh Nikolloski gjatë një paraqitje televizive, duke shtuar se pas rritjes së kuotave, kompanisë «Bechtel dhe Enka» nuk i mungojnë më punëtorët, ndërkohë që më parë kishte mungesë të 670 personave.
Ndërkohë, Qeveria ka përcaktuar një kuotë prej 10.000 lejesh pune për shtetasit e huaj për vitin 2026, e cila nis zbatimin më 16 janar. Nga ky total, 9.750 leje dedikohen për punësim të rregullt, ku përfshihen 4.500 për punëtorë të rinj dhe 5.250 për vazhdimin e lejeve ekzistuese, ndërsa pjesa tjetër ndahet për të huaj të dërguar dhe angazhime sezonale. Statistikat tregojnë se numri i përgjithshëm i të huajve me leje qëndrimi arriti në 6.128 gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje prej tre herë e gjysmë krahasuar me pesë vjet më parë, kur ishin regjistruar vetëm 1.704 persona. Sektorët me kërkesën më të lartë për punësim të huaj janë ndërtimi, industria, mikpritja dhe tregtia, ndërsa burimi kryesor i punëtorëve përfshin shtetas nga Bangladeshi, Nepali, India, Turqia, Kina dhe Filipinet.