Nikolloski: Presim që Bullgaria t’i dorëzojë të kërkuarit me urdhërarrest
Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski deklaroi se Maqedonia pret që Bullgaria t'i dorëzojë personat e kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Maqedonia pret që Bullgaria, si vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, t'i dorëzojë personat e kërkuar me urdhërarrest për t'u përballur me drejtësinë, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski në lidhje me rastin e Iva Mihajllova, për të cilën u lëshua një urdhërarrest ndërkombëtar, pasi ajo iku në Bullgari.
Në emisionin «Kolegium» në televizionin Alfa, Nikollovski theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme kishte komunikim të saktë në lidhje me rastin, duke e vlerësuar si një arratisje klasike nga drejtësia. «Mendoj se Ministria e Punëve të Jashtme pati një komunikim mjaft të saktë në lidhje me këtë pjesë. Thanë se ajo praktikisht iku nga Maqedonia, ndërsa sot është lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar. Ishin mjaft të qartë se kjo është një arratisje klasike nga drejtësia. Presim që Bullgaria, si vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe si një demokraci e zhvilluar që respekton sundimin e ligjit, t’i dorëzojë personat e kërkuar me urdhërarrest për t’u përballur me drejtësinë», tha Nikolloski.
Lidhur me reagimet në Bullgari dhe paralajmërimet për takime të nivelit të lartë, ai theksoi se shteti nuk duhet t'i nënshtrohet provokimeve dhe kujtoi rrugët institucionale për mbrojtjen e të drejtave, duke përmendur institucionet vendase dhe Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg.