Mungesa e reflektimit nga Rama rrezikon thellimin e krizës politike
Protestat e studentëve dhe nxënësve në Tiranë dhe qytete të tjera janë përshkallëzuar, ndërsa kryeministri Rama nuk e konsideron dorëheqjen si opsion.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Protestat e nisura nga studentët dhe nxënësit e gjimnazeve, të cilët bojkotuan mësimin për të dalë kundër qeverisë, janë shtrirë në disa qytete të vendit, përfshirë Shkodrën, Durrësin dhe Korçën. Demonstruesit janë përplasur me forcat policore, të cilat janë përpjekur të shpërndajnë turmën me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome, ndërsa në rrjetet sociale dhe media janë përhapur pamje të konfrontimeve dhe akteve të dhunës ndaj objekteve publike e bizneseve.
Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krahas kërkesave për arsim më cilësor, kushte më të mira jetese dhe mundësi punësimi. Protestat paqësore që vijonin prej katër muajsh janë përshkallëzuar në një revoltë të dhunshme gjatë tre ditëve të fundit.
Kryeministria nuk i ka kthyer përgjigje BIRN-it nëse kreu i qeverisë ka konsideruar dorëheqjen si akt për zgjidhjen e krizës, por në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Reuters, Rama u shpreh se nuk e konsideron dorëheqjen si opsion. «Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të trajtoj shqetësimet e arsyeshme dhe ta mbaj Shqipërinë në rrugën përpara. Çdo alternativë tjetër do të ishte një tradhti ndaj shqiptarëve, të cilët më dhanë një mandat të fortë për të përmbyllur negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian», tha Rama për Reuters.
Në një video të regjistruar në një ambient të djegur pranë kryeministrisë, Rama fajësoi opozitën për aktet e dhunës dhe paralajmëroi se personat përgjegjës për sulmet ndaj institucioneve do të përballen me ligjin.