Moti i keq përfshin Kukësin me reshje bore dhe ndërprerje energjie
Reshjet e borës zbardhin malet mbi 1000 metra lartësi, ndërsa disa fshatra mbeten pa energji elektrike.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
KUKËS — Qarku i Kukësit ndodhet nën ndikimin e motit me kthjellime dhe reshje të lehta shiu, kurse në zonat e larta malore mbi 1000 metra lartësi, në malet Gjallicë dhe Koretnik, janë shënuar reshje bore gjatë orëve të fundit. Sipas njoftimit të Prefekturës, akset nacionale dhe ato bashkiake mbeten të ekspozuara ndaj rënies së gurëve, inerteve si dhe vërshimit të ujërave. Subjektet kontraktore po vazhdojnë angazhimin për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve për të garantuar qarkullimin, ndërkohë që aktualisht të gjitha rrugët nacionale janë të qarkullueshme dhe bashkitë Kukës, Has e Tropojë nuk raportojnë bllokime apo problematika të tjera.
Në anën tjetër, furnizimi me energji elektrike ka pësuar ndërprerje në disa zona të qarkut. Sipas OSHEE-së, defektet në kabinat elektrike kanë lënë pa energji 31 abonentë në fshatin Nimçe dhe 85 abonentë familjarë në Kolesjan. Probleme të ngjashme me furnizimin me energji janë shënuar gjithashtu në fshatin Nikoliq të Hasit dhe në njësinë administrative Lekbibaj të Tropojës, ndërsa grupet e punës po ndërhyjnë në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar