Lutvija kërkon lirim në Apel për krime lufte, Prokuroria dënimin
Gjykata e Apelit ka shqyrtuar ankesat lidhur me dënimin me 10 vjet burgim ndaj Shaqir Lutvijës për krime lufte në Prizren.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Në Gjykatën e Apelit janë elaboruar ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila edhe në rigjykim e kishte dënuar me 10 vjet burgim Shaqir Lutvijën për krime lufte në Prizren. Kolegji i Apelit u kryesua nga gjyqtari Ferit Osmani, me gjyqtar referues Mentor Bajraktarin dhe anëtare Albina Shabani-Ramën.
Gjyqtari referues Bajraktari theksoi se mbrojtja ka paraqitur ankesë për shkelje të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të Ligjit Penal. Avokatja e të akuzuarit, Jovana Filipoviq, deklaroi se shkalla e parë ka bërë shkelje të rënda procedurale dhe nuk ka respektuar udhëzimet e Apelit. «Gjykata e shkallës së parë dukshëm nuk e ka kuptuar ose nuk ka dashur t’i kuptojë udhëzimet tuaja», tha Filipoviq, duke kërkuar lirimin ose zbutjen e dënimit. Ajo shtoi se procedura e identifikimit përmes fotografive u bë në kundërshtim me ligjin.
Në krahun tjetër, prokurorja e Apelit, Sabahate Hoxha-Pepaj, kërkoi që ankesa e mbrojtjes të refuzohet dhe të konfirmohet aktgjykimi i Themelores. I akuzuari Shaqir Lutvija u deklarua i pafajshëm, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me rastin. Palët do të njoftohen me vendimin brenda afatit ligjor.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar


