Përhapja e internetit: 9% e amvisërive pa qasje në Maqedoninë e Veriut
Të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë rritje të përdoruesve të internetit, ndërsa qytetarët ndajnë shqetësimet për ndikimin e tij.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Në Maqedoninë e Veriut rreth 94 për qind e popullsisë së moshës 15 deri në 74 vjeç kanë përdorur internetin, kurse rreth 82 për qind e kanë shfrytëzuar atë disa herë gjatë ditës, sipas shifrave të komunikuara nga Enti i Statistikës. Të dhënat që i referohen tremujorit të parë të këtij viti tregojnë se 91 për qind e amvisërive në nivel shtetëror kanë qasje në internet, ndërsa 9 për qind mbeten pa qasje.
Statistikat zyrtare tregojnë gjithashtu se rreth 94 për qind e popullsisë së vendit e përdorin internetin për të telefonuar, ndërsa rreth 89 për qind e shfrytëzojnë për të shkëmbyer mesazhe përmes aplikacioneve me internet. Qytetarët e anketuar shprehen se interneti është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë, por nuk mungojnë as shqetësimet rreth përdorimit të tepruar dhe ndikimit te fëmijët.