Llalla: Isha iniciatori i ligjit për të cilin u dënova me burg
Ish-kryeprokurori flet për dënimin dhe vendimin e autoriteteve italiane për mosmosekstradimin e tij.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka deklaruar se ka qenë vetë iniciatori i ndryshimeve ligjore që sollën ashpërsimin e dënimeve për mosdeklarimin e pasurisë. Gjatë një interviste për emisionin «On the Road» në Top News, ai pranoi se në periudhën kur drejtonte Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kishte kërkuar që mosdeklarimi të dënohej me gjobë dhe me burgim deri në tre vite, pasi sipas tij shumë zyrtarë i shmangeshin detyrimit. «Mora shkas sepse shumë zyrtarë i shmangeshin deklarimit të pasurive», u shpreh ai, duke shtuar se masa e re ndikoi në rregullimin e situatës dhe i detyroi zyrtarët të tregohen më të përgjegjshëm përpara institucionit. Llalla, i cili aktualisht jeton në Romë, u shpreh se e respekton vendimin e dhënë nga gjykata, pavarësisht mendimeve të tij.
Në maj të vitit 2021, ish-kryeprokurori u dënua nga Gjykata e Posaçme me dy vite burg për fshehje dhe mosdeklarim pasurie në tri episode, ndërsa vendimi u la në fuqi nga Apeli i Posaçëm më 22 shtator 2021. Lidhur me mosmosekstradimin e tij drejt Shqipërisë, Llalla bëri të ditur se gjykatat italiane morën parasysh dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare dhe gjendjen e tij shëndetësore. «Autoritetet italiane, gjykatat italiane, më njohën të drejtën për mosekstradimin tim në Shqipëri», u shpreh ndër të tjera ish-kryeprokurori.