KSHZ shpall rezultatet fillestare të zgjedhjeve në Bërvenicë
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi unanimisht rezultatet e rrethit të dytë për kryetar të komunës së Bërvenicës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e 26-të miratoi unanimisht konkluzionin për shpalljen e rezultateve fillestare të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës. Sipas të dhënave nga procesverbali i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, në listën zgjedhore ishin të regjistruar 16.256 votues, ndërsa të drejtën e votës e ushtruan 8.828 qytetarë ose 54,31 për qind e numrit të përgjithshëm. Numri i fletëvotimeve të papërdorura ishte 7.428, kurse u regjistruan 8.626 fletëvotime të vlefshme dhe 202 të pavlefshme.
Në bazë të votave të vlefshme për kandidatët, Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim fitoi 4.442 vota, kurse Stojanço Radiçevski nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE mori 4.184 vota. Me shpalljen e rezultateve fillestare kanë filluar të rrjedhin afatet ligjore për parashtrimin e kundërshtimeve në përputhje me Kodin Zgjedhor. Afati për ankesat ndaj procedurës së votimit përfundon më 3 nëntor deri në orën 19:00, ndërsa kundërshtimet ndaj procedurës së mbledhjes dhe verifikimit të rezultateve mund të parashtrohen më së voni deri më 4 nëntor në orën 15:30.