Komuna: Punëtori i bankës u qas pa autorizim në llogarinë e Ramës
Të dhënat bankare dhe transaksionet e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, janë shpërndarë nga një punonjës i Raiffeisen Bank.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Të dhënat e gjendjes bankare dhe transaksionet e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, janë shpërndarë pasi një punonjës i bankës Raiffeisen është qasur pa autorizim në llogarinë e tij personale. Sipas një përgjigjeje zyrtare nga Komuna e Prishtinës, vetë banka ka konfirmuar se punonjësi përgjegjës është identifikuar dhe është larguar nga puna pas ankesës zyrtare të dorëzuar nga kryetari Rama.
Komuna ka bërë të ditur se rasti do të ndiqet përmes rrugëve ligjore dhe gjyqësore ndaj institucionit financiar dhe punonjësit të përfshirë. «Kryetari Rama do të ndjekë rrugën gjyqësore ndaj Raiffeisen Bank dhe punonjësit përgjegjës për qasjen pa autorizim në të dhënat e llogarisë së tij bankare dhe shpërndarjen e të dhënave dhe transaksioneve», thuhet në njoftim, ku shtohet se do të kërkohet përgjegjësi penale sipas neneve 199 dhe 200 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe kompensim për dëmin e shkaktuar nga cenimi i privatësisë dhe dëmtimi i reputacionit publik.
Nga ana tjetër, nuk dihet nëse kjo ngjarje ka ndonjë lidhje me hetimet që po zhvillohen ndaj Përparim Ramës nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Sipas Ligjit NR 08 L-304, Neni 142, pika 5.7, informacioni konfidencial mund të mblidhet vetëm kur kjo është e rëndësishme gjatë një procedure penale, parapenale ose kur urdhërohet me shkrim nga gjykata kompetente apo organet e ndjekjes.