KLSH: Shteti nuk ka sistem për matjen e varfërisë — 40% e popullsisë në rrezik
Raporti i Kontrollit të Lartë: mungesë e sistemeve funksionale, mungesë e lidhjeve mes dokumenteve
TIRANË — Vendi nuk ka siguruar harmonizim, koordinim dhe monitorim efektiv të politikave për përmbushjen e objektivit të Kombeve të Bashkuara për zhdukjen e varfërisë deri në vitin 2030, sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Auditimi i performancës, i cili mbulon periudhën 2022-2024, shqyrtoi politikat e ministrive përgjegjëse, agjencive qendrore, Institutit të Statistikave dhe bashkive Durrës e Elbasan.
“Harmonizimi i Objektivit 1 të OZHQ-ve — Zhdukja e varfërisë në të gjitha format — me strateggitë dhe programet kombëtare rezulton i paplotë,” thuhet në raport. KLSH e lidh këtë përfundim me mungesën e një Kornize Kombëtare të Indikatorëve, mungesën e lidhjeve të matshme mes dokumenteve strategjike dhe politikave, si dhe me faktin se Udhërrëfyesi për arritjen e objektivave ende nuk është miratuar.
Sipas auditimit, “mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional për mbledhjen e të dhënave, monitorimin dhe raportimin e progresit të OZHQ 1 nuk kanë funksionuar”. Pjesa më e madhe e institucioneve qendrore dhe vendore nuk kanë struktura ose persona përgjegjës të caktuar për ndjekjen e objektivave, ndërsa bashkitë nuk i përdorin të dhënat për ndihmën ekonomike dhe shërbimet sociale për to analizuar progresin kundër varfërisë.
Sistemi Informatik i Planifikimit të Integruar, i cili duhet të lidhte politikat, planifikimin strategjik, buxhetimin dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, nuk funksionon. Në komentet e përfshira në raport, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës pranoi se platforma është jashtë funksionit dhe tha se po bashkëpunon me Ministrinë e Financave për adresimin e problemeve dhe përditësimin e saj.
KLSH e cilësoi zbatimin e masave për arritjen e objektivit si “pjesërisht efektiv”, duke evidentuar se më shumë se 40% e popullsisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social dhe se buxheti për mbrojtjen sociale është ndjeshëm më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian. Raporti citon gjithashtu të dhënat e INSTAT, sipas të cilave treguesi i rrezikut për të qenë i varfër ishte 19.2% në vitin 2024.
Financimi i lidhur me Objektivin 1 u rrit nga rreth 60 miliardë lekë në vitin 2016 në 80 miliardë lekë në vitin 2020 dhe rreth 100 miliardë lekë në vitin 2024. Nga ana tjetër, raporti thotë se kontributet nga donatorët dhe burimet e tjera nuk janë ende të detajuara plotësisht, ndërsa mungesa e sistemeve funksionale vështirëson lidhjen e shpenzimeve me rezultatet e arritura.
Burim: Report Tv
— Redaksia ZHURMA