Inspektorati i Punës ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Kllokot
Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në një kantier në Kllokot për shkak të shkeljeve të sigurisë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht aktivitetet ndërtimore në një objekt në komunën e Kllokotit, pasi gjatë një inspektimi në terren janë konstatuar parregullsi në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Pas konstatimit të gjendjes, inspektorët kanë nxjerrë vendim për pezullimin e punimeve deri në eliminimin e mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punonjësit, me qëllim të parandalimit të rreziqeve dhe mbrojtjes së punëtorëve gjatë ushtrimit të veprimtarisë.
Institucioni ka njoftuar se ky vendim ka hyrë në fuqi pas inspektimeve të realizuara, ndërsa u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të zbatojnë me përpikëri dispozitat ligjore. «Inspektorati Qendror i Punës u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të garantojnë sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në vendin e punës,» theksohet në njoftim.