Majori Ioannis Tzonis merr drejtimin e kontingjentit grek të KFOR-it
Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës është mbajtur në kampin “Film City” në Prishtinë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Majori Ioannis Tzonis ka marrë zyrtarisht drejtimin e kontingjentit grek në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Ngjarja është shënuar përmes një ceremonie të dorëzim-pranimit të detyrës që u organizua në kampin “Film City” në kryeqytet, nën praninë e komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori.
Aktin e dorëzimit e ka kryer majori Athanasios Papoutsis, i cili ka përmbyllur mandatin e tij në krye të trupave greke. Gjatë këtij organizimi, i cili u udhëhoq nga zëvendëskomandanti i misionit, gjeneral brigade Onur Çakıcı, është vlerësuar kontributi i dhënë për sigurinë e qytetarëve, ndërsa është shprehur mirëseardhja për komandantin e ri.
Misioni i KFOR-it ka përsëritur angazhimin e tij për të mbështetur të gjitha komunitetet dhe për të vepruar në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Përfaqësuesit e NATO-s kanë theksuar se puna vazhdon në mënyrë të paanshme, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in për ruajtjen e rendit dhe lirisë së lëvizjes.