Bulqizë: Gruaja dhe djali arrestohen për vrasjen e Urim Fikut
Të arrestuarit dyshohet se vranë kryefamiljarin dhe inskenuan ngjarjen si sulm nga një kafshë e egër.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Policia e Dibrës dhe Prokuroria kanë ndaluar bashkëshorten dhe djalin e viktimës Urim Fiku, pasi dyshohet se e kanë vrarë atë në bashkëpunim me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse në fshatin Godvi të Bulqizës. Gjatë hetimeve në vendngjarje, autoritetet sekuestruan një armë zjarri pistoletë model 54 me fishekë dhe një gëzhojë të gjetur në oborrin e banesës, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprat penale të vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare dhe armëmbajtjes pa leje.
Në njoftimin fillimor për ngjarjen e ndodhur më 3 nëntor, familjarët kishin raportuar se 60-vjeçari kishte ndërruar jetë si pasojë e një sulmi nga një kafshë e egër, konkretisht një ari. Megjithatë, ekzaminimet mjekoligjore dhe hetimet intensive zbuluan të vërtetën, duke provuar se viktima ishte qëlluar me armë zjarri në pjesën e gjoksit.