Inflacioni në Kosovë arrin 6% në qershor 2026 — jetesa e qytetarëve peshon më shumë
Ekonomistët kërkojnë masa për uljen e varësisë nga importi
PRISHTINË — Inflacioni në Kosovë po vazhdon të rëndojë standardin e jetesës së qytetarëve, ndërsa ekonomistët vlerësojnë se institucionet duhet të fokusohen në adresimin e shkaqeve të inflacionit dhe jo vetëm në pasojat e tij. Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), inflacioni vjetor në Kosovë ka arritur në 6.0 për qind gjatë muajit qershor 2026.
Ekonomisti Lulzim Beqiri, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se rritja e inflacionit gjatë dy viteve të fundit është e papërballueshme për qytetarët, duke theksuar se varësia e madhe nga importi, çmimi i energjisë elektrike dhe ai i derivateve janë ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e kostos së jetesës.
“Po sigurisht Kosova po ballafaqohet me rritje të inflacionit tash e dy vite, ka një rritje që është e papërballueshme për qytetarët e Kosovës, duke marrë për bazë edhe faktin që pothuajse në dy vitet e fundit kemi qenë gjithmonë në zgjedhje dhe institucionet e Republikës së Kosovës i kanë harruar qytetarët e tyre, dhe qytetarët janë mbetë të vetëm duke u ballafaquar me rritjen e inflacionit.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se situata ekonomike në vend është shqetësuese, pasi sipas tij agjenda politike po e lë në hije zhvillimin ekonomik. “Në aspektin ekonomik, situata në Kosovë është vërtet mjaft shqetësuese, nga fakti që është një agjendë politike e cila po e nënçmon zhvillimin ekonomik dhe proceset ekonomike.
Në këtë drejtim nuk duhet të na habisë fakti që distancë në globalizim nuk ka. Ajo që duket se po ndodh kudo në botë po reflektohet dhe po manifestohet ekonomikisht edhe në Kosovë. Po e shihni që tani kemi një ngritje enorme të çmimit të naftës, jo vetëm falë luftës në Iran dhe në ngushticën e Hormuzit, por edhe falë dëmeve që po i bëhen ekonomisë ruse nga sulmet me dronë nga Ukraina.
Burim: Ekonomia Online, https://ekonomiaonline.com/inflacioni-vazhdon-te-rendoje-standardin-e-jeteses-ne-kosove-ekonomistet-kerkojne-masa-per-uljen-e-varesise-nga-importi/
— Redaksia ZHURMA