Krasniqi: Dyshime për qasjen në telefon në stacionin policor para vrasjes
Gazetarët zbulojnë detaje të reja nga dosja gjyqësore dhe rrethanat para vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Vrasja e Arlinda Zekajt në fshatin Vitomiricë të Pejës vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, ndërsa po dalin në dritë hollësi të reja rreth ngjarjes ku ajo dyshohet se u privua nga jeta nga kunati i saj, Albert Sylaj. Edhe pse i dyshuari ndodhet në paraburgim pasi u dorëzua, hetimet po zbardhin rrethana të tjera mbi atë që i parapriu krimit. Gazetari Vullnet Krasniqi ka ngritur pikëpyetje për ngjarjet brenda Stacionit Policor në Pejë, duke theksuar se avokati i familjes, Besnik Berisha, ka dhënë informacione sipas të cilave Jetoni ndodhej aty bashkë me vëllanë dhe dyshohet se e njoftoi Albertin se Arlinda po shkonte atje. Sipas Krasniqit, «ka dyshime të forta që Jetoni aty ka pasur qasje në telefon, brenda stacionit policor dhe dyshohet se e ka parë vrasjen».
Nga ana tjetër, gazetarja Qëndresa Tërshani ka bërë të ditur se vendimi i Gjykatës në Pejë, i nxjerrë pak ditë pas vrasjes, përmend dëshmitarë që nuk ishin marrë ende në pyetje nga hetuesit. Ajo ka theksuar se ekzistojnë dyshime se i dyshuari ka kërkuar takim me familjen për t'u treguar se si duhet të flasin para organeve të hetuesisë. Sipas dosjes gjyqësore, tre të mitur kanë qenë të pranishëm dhe e kanë parë drejtpërdrejt krimin, konkretisht vajza dhe djali i Albertit si dhe djali i viktimës. Dosja përshkruan gjithashtu se viktima kishte hyrë në dhomën e gjumit dhe ishte fshehur pas derës për t'u mbrojtur, ndërsa i dyshuari e kishte ndjekur me sëpatë duke e goditur disa herë në pjesë vitale të trupit.