Gruaja e Astrit Isufit pretendon se përballet me kërcënime
Bashkëshortja e të dyshuarit për vrasjen e dy vëllezërve të saj tregon se po përballet me presione të vazhdueshme.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Bashkëshortja e Astrit Isufit, i cili gjendet në paraburgim nën dyshimin për vrasjen e dy vëllezërve të saj, pretendon se vuajtjet e saj nuk kanë përfunduar as pas kësaj tragjedie. Në një intervistë për emisionin “Debat Plus”, ajo ka rrëfyer se vazhdon të përballet me kërcënime dhe presione nga familjarët e ish-bashkëshortit, të cilët sipas saj synojnë t’ia marrin pesë fëmijët, ndërkohë që kujdestaria e tyre i është besuar asaj nga gjykata.
Në këtë rrëfim publik, gruaja nga Gjakova ka treguar për herë të parë detaje lidhur me dhunën sistematike që thotë se e ka përjetuar gjatë martesës, duke pretenduar se ajo nxitej edhe nga vjehrri i saj. Sipas saj, dhuna kishte nisur që në fillim dhe mbahej e fshehtë, ndërsa ajo kishte zgjedhur të qëndronte për vite me radhë për shkak të fëmijëve, para se të vendoste ta raportonte në polici pas rreth 20 vjetësh.